E enjte, 25 Prill, 2024
spot_img

Kompozoj për sot, çka vjen pas s’më intereson aspak!

- Advertisement -spot_img

Nga: Rick Fulker

“Secila vepër e tij ishte një model i ri, një formë e re, një zgjidhje e re”, shkruante kompozitori Virgil Thompson në nekrologjinë për Kurt Weillin, i cili ndërroi jetë nga një infarkt kardiak në vitin 1950, pak pasi kishte mbushur 50 vjeç. Fjalët e Thompsonit flasin për dy cilësi të Weillit: shumëllojshmërinë stilistike dhe pasionin për inovativen. Kompozitori i “Opera për tre groshë” (Dreigroschenoper) shkroi forma të ndryshme, si kantata radiofonike, një operë me muzikë popullore, apo një operë shkollore – përveç veprave të tij të shumta në zhanre konvencionale, një koncert për violinë, këngë artistike, muzikë dhome dhe shumë të tjera.

Festivali i 28-të Kurt-Weill, në qytetin e tij të lindjes në Desau, ndjek gjurmët e kompozitorit dhe veprës së tij çuditërisht heterogjene, nga data 28 shkurt deri me 15 mars, në 53 evente artistike. “Çfarë janë kufijtë?”, është motoja e këtij viti, që i referohet emigrimit të detyruar të Kurt Weill nga Gjermania në vitin 1933, por edhe veprës së tij, që nuk njeh kufij dhe u reziston shabloneve dhe kategorive.

Kurt Weill hyn tek ata artistë të cilët gëzojnë një status shumë më të lartë në të gjithë botën, sesa në vendlindjen e tyre. I lindur në vitin 1900 si djali i një drejtuesi kori në një sinagogë në Desau, Weill e mëson artin e tij muzikor në Berlin tek kompozitori Ferruccio Busoni. Në vitet 1920, krijoi së bashku me poetin dhe shkrimtarin Bertolt Brecht, kryevepra si “Opera për tre groshë” dhe “Ngjitja dhe rënia e qytetit Mahagonny”. Në vitin 1933, hebreu Weill emigron në Paris, dy vjet më vonë shkon në Nju-Jork së bashku me të shoqen, këngëtaren Lotte Lenya, dhe bëhet shtetas amerikan.

Më vonë emigranti refuzon të flasë “në gjuhën e keqbërësve”, madje as me gruan e tij nuk fliste më gjermanisht. U bë kompozitori më i suksesshëm në Broadway, nga pena e tij dolën opereta si “Street Scene”, “Lady in the Dark” apo “One Touch of Venus”. Ishte nga të paktët krijues të tingullit, meloditë e të cilit, si “Kënga e Mackie” apo “September song”, shumë njerëz i njohin pa ditur të thonë autorin.

“Kurt Weill e sakrifikoi kreativitetin e tij për shijen e publikut, duke u shitur te biznesi i teatrit amerikan”, shkruante filozofi dhe muzikologu Theodor W. Adorno në vitin 1950 në një nekrologji për Weillin. Një biograf i hershëm shprehej kështu: “Ai i ndryshonte stilet, më shpesh se ç’ndërronte vendet”, dhe nuk e mendonte aspak si kompliment.

Për Kurt Weillin është debatuar gjatë dhe fort, pikërisht për shkak të suksesit të tij në atdheun e ri. Në kontinentin e vjetër Evropë, në vitet e para të pasluftës, impakt mbi stilin kishte muzika serioze avangarde, një stil që nuk kishte të bënte aspak me operetat.

Ndryshe është tani 120 vjet pas lindjes dhe 70 vjet pas vdekjes së tij. “Unë besoj se Weill është në ngjitje”, tha Jan Henric Bogen, drejtori i festivalit Kurt-Weill në Desau. “Edhe veprat e tij amerikane po vihen gjithnjë e më shumë në skenë në Gjermani. Vepra si ‘Street Scene’ ‘Silbersee’ (Liqeni i argjendtë) janë përsëri aktuale”. “Shkaqet të bëjnë nganjëherë të mendosh”, thotë Bogen, sepse “rrethanat në të cilat u krijuan veprat përsëriten. Ne shohim se nacionalizmi dhe populizmi po rishfaqen sërish dhe kjo është arsyeja përse ne tani mund të identifikohemi më fort me veprat e Kurt Weillit”.

Historia nuk përsëritet vetë, thotë një fjalë popullore, por ajo rimon. Weill, i cili në veprat e tij të hershme në Gjermani përdorte suingun dhe ritmin e stileve të kërcimit amerikan, i mori këto eksperienca me vete në bagazh, për ta rigjetur veten më vonë në operetat në Brodway. “Ai iu përshtat rrethanave, por në kuptimin më të mirë të fjalës”, thotë Jan Henric Bogen, “duke i marrë impulset e reja artistike si burim frymëzimi. Kjo është veçoria, që e bën aq tërheqëse të merresh me të”.

Interesimi aktual për veprat e tij të bën edhe më shumë përshtypje, po të kujtosh një fjali të tij: “Sa për mua, unë kompozoj për sot. Çfarë vjen pas, s’më intereson aspak.”

Por, pasardhësit interesohen për Kurt Weillin. Popullariteti i vazhdueshëm kuptohet më mirë me ketë citat nga viti 1936: “Skena sot ka të drejtën të ekzistojë, vetëm nëse përpiqet të arrijë një nivel më të lartë të së vërtetës”. Kjo nxjerr në pah “klasiken” në veprën e Weillit, në kuptimin më të mirë të fjalës, ashtu si dhe një citat tjetër i Weill: “Unë kurrë nuk e kam njohur dallimin mes muzikës ‘serioze’ dhe asaj ‘të lehtë’. Ka vetëm muzikë të mirë dhe të keqe”.

Atdhetari amerikan i sapombërritur, që mbështeti atdheun e tij të ri në luftën kundër Gjermanisë, ka thënë një herë edhe fjalë, që nuk mund të ishin larg retorikës së qeverisë së atëhershme amerikane. “Ata që vijnë këtu në kërkim të lirisë, drejtësisë, mundësive të reja dhe dinjitetit njerëzor, gjëra që u mungojnë në vendin e tyre, janë amerikanë që përpara se të arrijnë këtu”.

- Advertisement -spot_img

Artikuj të ngjashëm

NA NDIQNI

7,235FansaPëlqeje
6,282NdjekësitNdjek
3,260AbonentëAbonohu
- Advertisement -spot_img
- Advertisement -spot_img

Latest Articles

- Advertisement -spot_img
- Advertisement -spot_img

NA NDIQNI

7,235FansaPëlqeje
6,282NdjekësitNdjek
3,260AbonentëAbonohu
- Advertisement -spot_img