Dy raste me koronavirus janë raportuar në Kosovë. 

Njëri nga të konfirmuarit pozitiv në Covid-19 është shtetase italiane e moshës 20 vjeçare, kurse pacienti i dytë, është kosovar i moshës 77 vjeçare.

Këtë e konfirmoi ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, raporton KOHA.

Ministri Vitia, tha se 15 raste kanë qenë të dyshuara sot në Infektivë, dhe vetëm 2 raste u konfirmuan pozitive.

Ai tha se pacientët e konfirmuar pozitiv gjenden të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klnike Universitare të Kosovës dhe se gjendja e tyre shëndetësore rezulton stabile.

“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha Vitia.

Ai tha, se për të gjitha rekomandimet dhe vendimet rreth situatës publiku dhe qytetarët do të njoftohen në kohë reale.

Kurse, Kryemnistri Albin Kurti u ka bërë apel qytetarëve që mos bëjnë panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve për parandalimin e Coronavirusit Covid-19.

“Ftohen qytetarët që të mos bëjnë panik, por me qetësi dhe kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve për parandalimin e koronavirus-it. I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes. Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes (ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje) DHE historik të udhëtimit në vend / zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave; ose që kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave. Ftohen të gjithë qytetarët që pa panikë, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga Qeveria e Kosovës. Me kujdes të shtuar, të gjithë bashkë, do t’ia dalim edhe në këtë betejë!”, tha Kurti./ Koha