Në Gjakovë arrestohen inspektori i ATK-së dhe një kontabilist për marrje ryshfeti.

Policia e Kosovës, ka arrestuar gjatë të martës dy persona në Gjakovë të dyshuar për për veprat penale ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 260 dhe ,,Marrja e ryshfetit” nga neni 421 KPRK-s.

Sipas komunikatës për medie të Policisë së Kosovës, arrestimi është bërë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë pas pranimit të informacioneve nga një ankues i cili kishte raportuar se një person kishte kërkuar ryshfet.

Njëri nga të dyshuarit është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë prej pesëqind eurosh.

“Pas pranimit të informacioneve nga ankuesi i rastit lidhur me një person të dyshuar i cili i kishte kërkuar ryshfet të njëjtit, përmes një personi të dytë, në këmbim të mos-shqiptimit të gjobës apo kontrollimit të biznesit të tij, Policia e Kosovës ka aplikuar masat e fshehta të hetimit, saktësisht “blerje të simuluar”, me ç’rast është arrestuar në flagrancë njëri nga të dyshuarit (kontabilist) i cili nga ankuesi kishte pranuar një shumë parash prej 500 (pesëqind) euro, para të cilat janë pranuar për të dyshuarin tjetër (inspektor i ATK-së)”, thuhet në komunikatën e policisë.

Në lidhje me rastin po ashtu është arrestuar edhe i dyshuari tjetër, inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës.

“Gjatë zbatimit të kësaj urdhërese është arrestuar edhe i dyshuari tjetër (inspektor i ATK-së). Lidhur me rastin, personat e dyshuar të arrestuar janë: D. F. i lindur me 1977 m/kosovar dhe B. H. i lindur me 1990 m/kosovar. Pas intervistimit të të dyshuarve, në konsultim me prokurorin kompetent, me vendim të tij i dyshuari D.F. (inspektor i ATK-së) është ndaluar në mbajtje, ndërsa i dyshuari B.H. është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.