Kurti flet për emërimin e bordeve, thotë se janë të përkohshme dhe do të luftojnë korrupsionin e krimin.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur rreth shkarkimeve të bordeve dhe emërimin e të rejave, duke thënë se bordet e emëruara nga Qeveria që ai drejton janë të përkohshme dhe do të luftojnë krimin dhe korrupsionin brenda tyre.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Posta e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos tash kanë borde të reja dhe profesionale, që do të merren me ç’kapjen e plotë nga shpërdorimi.

Lexoni të plotë postimin:

“Mbrëmë ishte mbledhja korresponduese, e 21-ta me radhë, e Qeverisë së Kosovës. Nëntë pikat e kësaj mbledhje u votuan, pra u miratuan.

Shkarkuam borde e emëruam të rinj. Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ Sh.A., ‘Posta e Kosovës’ Sh.A. dhe ‘Hekurudhat e Kosovës – Infrakos’ Sh.A., tash kanë borde të reja e profesionale. Këto borde janë të përkohshme të cilat do të merren me ç’kapjen e plotë nga shpërdorimi dhe luftimin e krimit e korrupsionit brenda tyre.

U miratua edhe një nismë për lidhjen e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike dhe çështjeve penale ndërmjet Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës. Ndihma e tillë do të ketë vëmendjen në sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave nga krimi, komunikimi i drejtpërdrejt në mes të organeve tona gjyqësore, grupeve të përbashkëta hetimore, Transferimin e Procedurës Penale, si dhe marrjen e dëshmive, duke përfshirë edhe marrjen e dëshmive përmes video-konferencës. Kështu, jemi të bindur që Sistemi i Drejtësisë do të forcohet sepse edhe do të pavarësohet.

Kineastët në vendin tonë do të kenë shansin të përfitojnë koproduksion filmik, program mbështetës për shpërndarjen e prodhimit, shfaqje në rrjetin e kinemave, promovim të autorëve, prodhimeve të tyre dhe barazisë gjinore, nga fondi i Këshillit të Evropës “EURIMAGES”. Mbrëmë u aprovua propozimi për t’u anëtarësuar për këtë fond. Tani, janë profesionistët e fushës ata që do ta përpilojnë sa më mirë e sa më në detaje domosdoshmërinë e këtij fondi.

Mësueset e Mësuesit, personeli i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët ‘Qamil Batalli’ në Prishtinë, Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët ‘Emin Duraku’ në Prizren, ai i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ai civil i Drejtorive Komunale të Arsimit në Prishtinë e Prizren, ata të cilët po e mundësojnë mësimin online me aprovimin e mbrëmshëm të qeverisë do të kenë pako shtesë. Puna e mësuesit është për nderimet më të larta e ajo në asnjë asnjë formë nuk mund të shpaguhet.

Nga mbrëmë do të shqyrtohet Projektudhëzimi administrativ për Përcaktimin e Procedurave për Shkatërrimin e Strukturave të Paligjshme. Strukturë e paligjshme konsiderohet ndërtimi i paligjshëm në pronën private e që është ndërtuar pa pëlqim të pronarit. Pra, me këtë udhëzim administrativ tregohet si duhet të bëhet zbatimi i vendimeve të plotfuqishme të Komisionit për kërkesa pronësore dhe Aktgjykimeve të panelit të ankesave në Gjykatën Supreme. Kjo është edhe kërkesë në procesin për integrim evropian.

Është miratuar edhe Vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, për shërbimet telekomunikuese që ofron ‘Telekomi i Kosovës Sh.A.’, si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore”.