E shtunë, 27 Prill, 2024
spot_img

Diskriminimi ndaj kulturës shqiptare po merr fund (?!)

- Advertisement -spot_img

Sot, kur më emocionet janë qetësuar, kur vala e reagimeve histerike e të pa argumentuara dhe mbi të gjitha keqdashëse kanë pushuar, është mirë të bëjmë një analizë se pse buxhetet e dy viteve të fundit në ministrinë e Kulturës shkaktojnë kaq vëmendje në opinion, mënyrën se si u soll dhe çka solli ndarja e këtij buxheti.

Edhe sivjet, ministria e Kulturës duke u bazuar në ligjin për kulturë dhe në rregulloret e brendshme për punë solli buxhetin e saj vjetor. Praktika e instaluar gjatë sjelljes së programit të vitit të kaluar, ku kryefjala e atij programi ishte transparenca, edhe këtë vit është ndjekur e njejta rrugë ku transparenca dhe ligjshmëria janë më standarde të etabluara. Komisionet kanë pasur dhe kanë bartur përgjegjësinë dhe peshën kryesore të vlerësimit dhe përgatitjes së programit për vitin 2019. Për të qenë korrekt deri në fund, po, është ministri i kulturës ai që sjell programin për kulturë por asnjëherë dhe në asnjë rast, asnjë nga ministrat e kulturës nuk kanë tejkaluar komisionet gjatë përgatitjes së programit. Edhe sivjet në programin e ministrisë së Kulturës gjetën mbështetje projekte të sferave të ndryshme në fushën e kulturës. Është për të ardhur keq se si në një vend i cili aspiron që në të ardhmen të bëhet pjesë a një unioni ku kryefjala është diversiteti kulturor, artistët ende flasin për njëri tjetrin e jo me njëri tjetrin. Është dëshpërues fakti që, artistët, kolegët tanë maqedonas duke mos pasur njohuri për kolegët e tyre të etnitetit shqiptarë, paragjykojnë dhe bëjnë krahasime të llojit “Pse për ata dhe jo per ne”, ose  “Pse po mbështeten projektet e tyre në kurrizin tonë”. Kjo paraqet pikën më të ulët që mund ta arrijnë njerëzit të cilët kanë krijuar stereotipe ndaj një komuniteti i cili bashkëvepron, bashkëjeton dhe kontribuon njejtë në këtë shtet. Në vitin 2018, me sjelljen e programës së ministrisë së Kulturës, të gjithë së bashku, kolegët tanë maqedonas, të përkrahur edhe nga disa të ashtuquajtur kosmopolit, stigmatizuan, paragjykuan dhe folën me përçudnim ndaj projekteve shqiptare. Edhe vitin e kaluar, Festivali i Xhazit, Festivali i Filmit në Tetovë, Ansambli, koncertet e ndryshme, Kolonitë artisitke, shfaqjet e ndryshme dhe projekte të tjera u shënjestruan si projekte joserioze. Shembull tipik është rasti me shoqatën “Alegreto”, shoqatë e cila disa vite radhazi organizon me sukses një ndër evenimentet më me rëndësi të skenës së Muzikës serioze shqiptare. Të gjithë u ngritën të hudhin gurë e dru mbi këtë shoqatë, teksa koha tregoi se ata ishin gabim dhe ne kishim të drejtë me mbështetjen që u dhamë tyre.

Sivjet po ndodh e njejta gjë, u fol edhe atëherë për shoqata fantome, po flitet edhe sot. Jo, ato janë shoqata të artistëve shqiptarë të diskriminuar ndër vite nga kjo minsitri, ato janë shoqata të cilat janë krijuar në pamundësi që të marrin një pjesë të buxhetit nga minsitria e Kulturës në mënyrë institucionale pasi që krijimi i Institucioneve në Maqedoninë Perëndimore ka qenë tabu temë gjatë kohë. Këto shoqata, këto veprimtarë të kulturës, këta artistë janë munduar me mish e me shpirt, me punë vetëmohuese që të kultivojnë artin dhe të bëhen pjesë e skenës kulturore në Republikën e Maqedonisë. Në vitin 2017, u hodhën hapat e parë në krijimin e projekteve dhe politikave që do të bënin një diskriminim pozitiv kundrejt artistëve shqiptarë pasiqë dëmi që i ishte shkaktuar kulturës e në veçanti kulturës shqiptare determinonte një hap të tillë.

Buxheti i investimeve kapitale në ministrinë e Kulturës u fokusua me të drejtë në përfundimin e fazës së parë të Teatrit të Tetovës, objekt ky që disa vite radhazi qëndronte në themelet e tij. Buxheti u fokusua edhe në përfundimin e objektit të rindërtuar të Teatrit shqiptar në Shkup që përfundimisht të mbarojë saga e artistëve të artit skenik shqiptar në Qytetin e Shkupit, u forcuan kapacitetet financiare të Institucioneve të cilat falë politikës së mbrapshtë të instaluar në minsitrinë e Kulturës vite me radhë, ishin të mbytura në borxhe ku ju mungonin mjete edhe për nevojat themelore për të funskionuar. Në vitin 2018, u soll strategjia e Kulturës, strategji kjo e cila kryefjalë të saj ka mosdiskriminimin dhe krijimin e politikave të reja gjithëpërfshirëse që do të jenë shtylla kryesore e punës së ministrisë së Kulturës.

Në vitin 2018, për herë të parë u ndanë përafërsisht 35 % të mjeteve të buxhetit të ministrisë së Kulturës për projektet shqiptare. Në vitin 2018, erdhi deri te ndërrimi i ekipit menaxhues në kulturë dhe u futën të gjitha projektet nën skanim për ndonjë parregullsi. Pasi u mënjanuan të gjitha dilemat filloi edhe realizimi i projekteve. Sot, me krenari deklarojmë që nuk kemi bërë gabim në mbështetjen e projekteve të cilat gjallëruan aktivitetet kulturore nga Likova deri në Strugë.

Viti 2019, gjegjësisht programi i ministrisë së Kulturës i vitit 2019, po e ndjek rrugën e natyrshme të trasuar më herët, duke tentuar të rrisë kualitetin e programës dhe projekteve, madje duke tentuar të krijojë akoma më shumë mundësi dhe mbështetje për artistët dhe institucionet. Ky program, është vetëm edhe një shkallë e ngjitjes ose më mirë thënë e rrugëtimit dhe rritjes së mbështetjes Institucionale që do t’i bëhet kulturës në përgjithësi, prandaj, para se të paragjykohemi mes vete si artistë është më mirë që të ulemi e të flasim me njëri tjetrin, të vizitojmë ekspozitat e njëri tjetrit, t’i ndjekim koncertet e shfaqet e njëri tjetrit, të njihemi më mirë me njëri tjetrin. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që në të ardhmen të kritikojmë aty ku duhet dhe të përkrahim njëri tjetrin.

A është ky program më i mirë i ministrisë së Kulturës? Jo. Ka plotë vërejtje nga shoqata dhe institucione të ndryshme të cilat ankohen për mos mbështetje të duhur të projekteve të tyre ose për eliminim të projekteve të tyre nga konkursi, por, në një procedurë normale ankimore, komisionet do t’i kenë parasysh të gjitha vërejtjet e parashtruara nga ana e shoqatave, artistëve dhe institucioneve. Nga reagimet histerike dhe të pa vend, po u pamundësohet kujdesi institucional atyre që me të vërtetë në një fare forme u është “hy ndër hak”.

Por, ata që mendojnë se janë mbi ligjin e kanë gabim, ata që mendojnë se duhet të jenë të mbrojtur dhe të pa prekur përsëri e kanë gabim, ky programnë asnjë moment nuk ka parapëlqyer dhe dëmtuar askënd. Transparenca dhe mundësitë e barabarta u janë siguruar të gjithëve.

Dhe krejt në fund, ministria e Kulturës, këto dy vitet e fundit, çdoherë ka pasur parasysh ndjeshmërinë e natyrës së punës së vet dhe çdoherë në punën e vet ka ofruar transparencën, kushtet e barabarta, bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha organet që luftojnë korrupcionin. Ndërkohë, ka treguar se diskiriminimi tash më mbetet në të kaluarën dhe në bashkëpunim të ngushtë me artistët e të gjitha fushave do të krijojë politika zhvilluese dhe mbështetëse për kulturën në përgithësi.

Kjo ministri i ka vendosur obligime vetes që të jetë në shërbim të artistëve dhe jo në shërbim të individëve të caktuar dhe të politikave të mbrapshta të cilat kanë lënë një njollë të zezë në historinë e kësaj ministrie. Prandaj duhet që mirëkuptimi, toleranca dhe bashkëpunimi i ndërsjellë të jenë postulatet kryesore të kulturës në vend.

- Advertisement -spot_img

Artikuj të ngjashëm

NA NDIQNI

7,235FansaPëlqeje
6,282NdjekësitNdjek
3,270AbonentëAbonohu
- Advertisement -spot_img
- Advertisement -spot_img

Latest Articles

- Advertisement -spot_img
- Advertisement -spot_img

NA NDIQNI

7,235FansaPëlqeje
6,282NdjekësitNdjek
3,270AbonentëAbonohu
- Advertisement -spot_img