26 raste të reja në Tiranë, asnjë i infektuar i ri në zonat e tjera.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë, duke e çuar në 1076 numrin e të prekurve.

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik të Shqipërisë tha sot në komunikimin e përditshëm se “nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë. Ndërkohë vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë”.

Sipas saj, në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale.

“Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, – tha Daja.