Funksioni smart compose i Gmail është në dispozicion në sistemet desktop që nga publikimi i tij në konferencën Google’s I/O, në maj të vitit të kaluar. Megjithatë, disponueshmëria e pajisjes në pajisjet mobile ishte e kufizuar në serinë Google Pixel 3, raporton Neowin.

Tani si duket vegla është në dispozicion edhe për pajisje të tjera Android, si Pixel 2 dhe 2 XL, OnePlus 6T dhe Samsung Galaxy S9+. Për ta aktivizuar funksionin, aplikacioni Gmail duhet të azhurnohet në versionin më të ri. Pas kësaj, do të shfaqet një dritare pop-up, me veglën smart compose kur të hapet aplikacioni.

Vegla funksionon sikurse versioni për desktop, duke ofruar fjalë të sugjeruara gjatë krijimit të mesazheve. Funksioni i mundësuar nga AI-ja përdor metoda që e ndjekin kontekstin, për ta ndihmuar përdoruesin që ta përfundojë fjalinë, duke e kursyer kohën gjatë të cilës shkruhen fjalët, shkruan KOHA Ditore.

Në fillim, funksioni është i aktivizuar në default, por mund të çaktivizohet nëse doni t’i krijoni mesazhet në mënyrën tuaj.