Ballina Lajme Botë Në Britani rrezikohen 7 mijë vende pune, nëse zgjat pandemia.

Në Britani rrezikohen 7 mijë vende pune, nëse zgjat pandemia.

Sipas një studimi të ri, më shumë se gjysma e vendeve të punës në disa sektorë të caktuar të ekonomisë britanike është e rrezikuar, nëse masat e izolimit vazhdojnë për një periudhë më të gjatë.

Në hulumtimin e bërë nga Instituti për Kërkime Sociale dhe Ekonomike në Universitetin e Essex-it thuhet se masat e izolimit mund të ndikojnë që t’i shkatërrojnë së paku 6.5 milionë vende pune, shifër që paraqet rreth një të pestën e të gjitha vendeve të punës në Mbretërinë e Bashkuar.

Instituti e ka marrë parasysh edhe aftësinë e punëtorëve për të punuar nga shtëpia, duke bërë të qartë se disa sektorë mund të preken më pak nga kriza se të tjerët. Aty theksohet edhe ndikimi i rënies së kërkesës për disa produkte dhe shërbime si faktor në vendet e punës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Hulumtuesit kanë vlerësuar se gati dy milionë vende pune në industrinë e shitjeve me shumicë dhe pakicë dhe 1.3 milion vende pune në sektorin e hoteleve, restoranteve dhe kafeneve janë zhdukur. Për më tepër, 1 milion vende pune thuhet se janë humbur edhe në sektorin e shërbimeve.

Ndryshe, Britania e Madhe është në mesin e shteteve më të prekura nga koronavirusi në Evropë, së bashku me Italinë, Spanjën dhe Francën. Deri më tani, në këtë vend janë shënuar mbi 15 mijë viktima dhe 114 mijë të infektuar.

Exit mobile version